Intervistë me Presidentin e Shqipërisë, Zotin Rexhep Meidani

 

Illyria: Zoti President, Ju keni patur shume takime me personalitetet politike dhe përfaqësuesit e medias. Çfarë ju ka bërë përshtypje në qëndrimin e tyre ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve?

Presidenti Meidani: Kam zhvilluar takime të shumta me personalitetet politike dhe median. Jam takuar me senatorë dhe kongresmenë, nga të cilët veçoj kongresmenin Engel dhe kolegët e tij që janë përkrahës të flaktë të zgjidhjes së çështjes së shqiptarëve të Kosovës, me sekretaren e Departamentit të Shtetit, zonjën Allbright, jam takuar me liderë evropian, si kryeministrin e Britanisë së Madhe, zotin Tony Blair, do të takohem me Presidentin Clinton dhe presidentin francez Jak Chirack.

Ajo që më ka bërë më shumë përshtypje në këto takime është jo vetëm interesimi për situatën e vështirë, nëpër të cilën po kalon populli shqiptar, veçanërisht shqiptarët e Kosovës, por edhe mbështetja dhe solidariteti i tyre i plotë njerëzor.

Këtë gjë e kam vënë re edhe në qëndrimin e medias amerikane. Çdo ditë më duhet të takoj me përfaqësuesit e medias, të shtypit dhe të televizionit amerikan, të marrë pjesë në programet televizive, si ai me Larry King.

Por ky interesim dhe solidaritet nuk shprehet vetëm nga politikanët apo media.

Ajo që më ka prekur më thellë është takimi me një grup nxënësish të një shkolle të Michiganit. Ata sollën edhe kontributin e tyre modest. Nuk ishte ndonjë shumë e madhe, një çek prej 7500 dollarësh, por përfaqësonte një pasuri shumë të madhe - ishte simbol i pastërt i solidaritetit dhe përkrahjes së gjithë popullit amerikan.

Illyria: Si e shpjegoni ju këtë solidaritet?

Presidenti Meidani: Mendoj se solidariteti dhe angazhimi i plotë për të na ndihmuar duhet shpjeguar para së gjithash me imazhin e lartë që Shqipëria dhe shqiptarët kanë krijuar për vete në të gjithë botën.

Kudo ka bërë një përshtypje të thellë qëndrimi i Shqipërisë dhe i të gjithë popullit tonë ndaj refugjatëve kosovarë. Ky vend, ky popull tepër i varfër i hapi dyert pa hezitim për refugjatët kosovarë dhe vëllazërisht ndau me ta çdo që ka: strehë, bukë dhe halle.

Jo të gjithë të huajt e njohin traditën e mikpritjes dhe fisnikërinë shpirtërore të shqiptarëve. Por le të kujtojmë vetëm fatin e ushtarëve italianë pas kapitullimit te Italisë fashiste. Italianët kishin ardhur si pushtues, por populli ynë me intuitën e tij të pagabueshme e kuptoi se ata nuk ishin fajtorë dhe i ndihmoi të shpëtonin nga ndjekjet e nazistëve. Të shumtë qenë italianët që u birësuan në familjet shqiptare. Ata u bën anëtarë të familjeve shqiptare, ata i shpëtoi fisnikëria shpirtërore e shqiptarëve. Po kështu ndodhi edhe me izraelitët. Populli ynë ka një traditë shekullore që të ndihmojë njerëzit në nevojë, qofshin edhe të huaj, kjo është një traditë që buron nga shpirtmadhësia dhe fisnikëria e tij shpirtërore.

Pritja zemërhapur e motrave dhe vëllezërve tanë kosovarë ështe një gjë krejt e natyrshme për popullin tonë. Ai u gjend pranë tyre kur ata u ndodhën në rrezik dhe në nevojë. Por me sa duket kjo shpalosi në një mënyrë disi të papritur para botës imazhin e vërtetë të popullit tonë.

Një arsye tjetër është edhe gatishmëria e Shqipërisë për të mbështetur pa asnjë hezitim SHBA-në dhe NATO-n. Në dispozicion të tyre ne kemi vënë të gjithë territorin shqiptar, të gjitha infrastrukturat. Këtë e kemi bërë jo vetëm në aspektin humanitar, për organizatat dhe organizmat që ndihmojnë refugjatët, por edhe në aspektin ushtarak. Nga të gjitha shtetet, vetëm Shqipëria i është përgjigjur thirrjes së NATO-s për të vënë në dispozicion territorin e saj për fushatën ushtarake kundër Jugosllavisë së Millosheviçit. Edhe në të ardhmen ne do të jemi të gatshëm t'u përgjigjemi kërkesave të tyre. Ne duam t'i forcojmë gjithnjë e më shumë lidhjet tona me SHBA-të dhe NATO-n. Ne duam të inkuadrohemi në Aleancën e Atllantikut të Veriut dhe këtë e shohim si një faktor të rëndësishëm stabilizues për të ardhmen e Ballkanit.

Illyria: Nga Millosheviçi mund të presësh gjithçka. Si do të reagonit ju ndaj një përpjekje të tij për shkallëzimin e luftës kundër Shqipërisë.

Presidenti Meidani: Gjatë provoakcioneve dhe ndërhyrjeve të fundit në kufirin tonë të veriut forcat serbe kanë marrë përgjigjen e merituar. Ne jemi të përgatitur për çdo agresion të mundshëm. Për këtë kemi edhe garancitë dhe mbështetjen e plotë të NATO-s.

Illyria: Ju keni parashtruar dhe mbroni idenë e vendosjes së protektoratit ndërkombëtar si zgjidhje të ndërmjetme për problemin e Kosovës. Mund të na thoni diçka për këtë?

Presidenti Meidani: Ideja e protektoratit ndërkombëtar për Kosovën është bërë tani një ide mbizotëruese. Unë e kam biseduar këtë çështje me zonjën Albright dhe me personalitete të tjerë të lartë , që janë gjithashtu të të njëjtit mendim.

Duhet kuptuar mirë se luftën që bëhet tani kundër Millosheviçit ne nuk e konsiderojmë si një luftë ndërmjet shteteve, një luftë për të ndryshuar kufijt. Kjo është një luftë për qëllime humane, për të shpëtuar një popull nga mizoritë e pastrimit etnik, për të rivendosur të drejtat e tij njerëzore, për të jetuar në paqe dhe për ta organizuar vetë jetën e tij shoqërore. Kjo është luftë për të rrëxuar një regjim shtypës dhe mizor.

Idenë e vendosjes së protektoratit ndërkombëtar mbi Kosovën ne e shohim si një zgjidhje ndërmjetëse. Vendosja e protektoratit ndërkombëtar ka dy komponentë, njërin ushtarak dhe tjetrin civil.

Në aspektin ushtarak, një kontigjent trupash ushtarake të drejtuar nga NATO do të vendoset në Kosovë dhe do të sigurojë kushtet e duhura për kthimin e të gjithë refugjatëve në shtëpitë e tyre.

Në aspektin civil, do të krijohen kushtet minimale njerëzore për rifillimin e jetës normale në Kosovë.

Tani Kosova është e shkatërruar, mbi 650 fshatra janë djegur, mbi 600.000 vetë janë shpërngulur, me dhjetëra mijë vetë janë masakruar dhe vrarë, mbi 100.000 vetë kanë humbur, midis të cilëve më shumë se 60% janë fëmijë. Jeta ekonomike është shkatërruar.

Prandaj aspekti civil i protektoratit do të përfshijë tri fusha: humanitar, institucional dhe ekonomik.

Gjëja e parë që duhet është ndihma humanitare, e cila do të jepet nga organizmat dhe organizatat e ndryshme ndërkombëtare. Pastaj nga ana e OSBE do të krijohen instuticionet shtetërore dhe sociale. Shtetet e Bashkuara, Grupi i të Shtatëve dhe Fondi Ndërkombëtar do të ndihmojnë për organizimin e jetës ekonomike.

Dhe, natyrisht, në Kosovë do të shkojnë dhe prokurorët ndërkombëtar, të cilët do të hetojnë krimet që janë kryer dhe do të nxjerrin para gjyqit ndërkombëtar ata që kanë kryer krime kundër njerëzimit.

Vendosja e protektoratit në Kosovë do të jetë një zgjidhje e përkohshme, e ndermjetme, deri në zgjidhjen përfundimtare. Protektorati do të sigurojë të gjitha kushtet politike dhe ekonomike për zhvillimin normal të jetës. Ky protektorat do të zbehet dhe do ta humbasë rolin e tij, do të shuhet kur populli të jetë plotësisht në gjendje të marrë vetë në duart e veta administrimin e vendit.

Illyria: Eshtë folur edhe për mundësinë e ndarjes së Kosovës?

Presidenti Mejdani: Ne jemi në mënyrë absolute kundër ndarjes së Kosovës. Ne jemi kundër ndryshimit të kufijve shtetërorë. Në gadishullin Ballkanik, ku ka një larmi të pafund etnish, ndarja e Kosovës do të ishte një precedent që do të shkaktonte një reaksion zinxhirë. Ne jemi për një zgjidhje multietnike të problemit. Vendin ta gëzojnë në mënyrë të barabartë të gjitha etnitë që banojnë në të.

Illyria: Ka patur probleme me shpërndarjen e ndihmave humanitare?

Presidenti Meidani: Fola edhe më lart për solidaritetin që ka treguar populli ynë për vëllezërit dhe motrat tona kosovare. Ky solidaritet e ka ngritur shumë lart imazhin e shqiptarëve dhe të Shqipërisë kudo në botë.

Çdo shqiptar duhet t'i bëjë jehonë këtij solidariteti dhe në mënyrë të veçantë media.

Por nga ana e disa mediave ka patur spekullime lidhur me gjoja shpërdorimin e ndihmave. Këto janë përpjekje për ta zbehur imazhin pozitiv të vendit tonë në mënyrën më absurde. Flitet se ndihma humanitare kap shumën 96 milionë dollarë, kur në të vërtetë ajo arrin vetëm në 30 milionë, nga të cilat vetëm 10% janë administruar nga shteti shqiptar, kurse 90 përqind janë administruar nga organizatat humanitare ndërkombëtare.

Të vjen keq kur gatishmërisë të shtetit dhe popullit shqiptar disa politikanë dhe media i përgjigjen me manovra politike për të prishur imazhin e krijuar, për të prekur thelbin e tij.

Ne kemi krijuar një komision të madh parlamentar për verifikimin e shpërndarjes së ndihmave, por përfaqësuesit e atyre që i ngrejnë këto akuza i bojktojnë mbledhjet e tij, në vend që të vijnë të marrin pjesë dhe të ndihmojnë.

Natyrisht këto spekullime dhe manovra politike ndikojnë keq tek shqiptarët e Kosovës, me anën e mbjelljes së dyshimeve përpiqet të krijohet një hendek midis nesh dhe atyre, në kohën që ne po përpiqemi të afrohemi. Kjo lloj veprimtaria merr në një ngjyrë antikombëtare në kohën kur ne duhet të bashkohemi si një trup i vetëm për çështjen kombëtare shqiptare.

Tani është krijuar një rrjet ndërkombëtar për shpërndarjen e ndihmave i drejtuar nga URNC. Kontribut në këtë rrjet është duke dhënë edhe NATO në aspektin humanitar.

Illyria: Shkakton shqetësim disllokimi i forcave të NATO-s në Veri?

Presidenti Meidani: Disllokimi i forcave të NATO-s bëhet sipas nevojave. Kudo që ato të instalohen, për ne është njëlloj. Ne u kemi dhënë liri të plotë: të vendosen ku të duan në territorin e vendit tonë. Ne e shohim NATOn si faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon. Prania e NATOs është garanci edhe për mbrojtjen e integritetit të vendit tonë.

Në kufi ne kemi njësitë tona. Çdo ndërhyrjeje ne i jemi përgjigjur dhe do t'i përgjigjemi si duhet.

Prania e NATOs në Shqipëri.është një garanci për mbrojtjen e integritetit territorial të vendit tonë.

Ky nuk është një konflikt midis shtetesh, kjo është luftë kundër një regjimi që shkel mizorisht të drejtat e njeriut. Dhe në këtë luftë populli ynë është në plan të parë: si viktimë dhe si luftëtar. Por në këtë luftë po shpalosen virtytet e tij të trashëguara nga shekujt: stoicizmi dhe solidariteti njerëzor.

Intervista u muar në Washington, më 24 Prill 1999, dhe u botua në gazetën "Illyria", New York, 27 Prill 1999.

 

 

Back to Top